Ish-kandidatja për kryetare të PD-së, Edith Harxhi duke komentuar arrestimet e kryetarit dhe zyrtarëve të bashkisë së Lushnjes shprehet se zullumqarëve u erdhi momenti që të paguajnë dëmin që u kanë shkaktuar shqiptarëve.

Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi në Shqipërinë tonë. Arrestimet e Kryetarit të Bashkisë së Lushnjes dhe 10 zyrtarëve të tjerë jam e sigurt se kanë drithëruar shumë Kryetarë Bashkishë madje edhe në ato më të mëdhat e vendit si dhe shumë Ministra dhe zyrtarë të lartë.  Ka ardhur koha të paguajnë të gjithë zullumqarët që e ndjenin veten të paprekshëm deri më sot.

Këto dy javë me tre vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe deklaratat e vendimet e SPAK kanë nisur mbarë dhe do vazhdojnë po mbarë. Tani mezi pres të dëgjoj KM tek i thotë Ministrave të tij “nuk ju mbroj dot nga drejtësia e re”. Jam e sigurt se disa prej tyre do t’ia kthejnë KM-së me po të njëjtën monedhë.

Korrupsioni nuk ka ngjyrim politik dhe as brirë, prandaj të gjithë që kanë abuzuar me fondet dhe taksat e qytetarëve duhet të kuptojnë se po vjen fundi! Shqipëria ka nevojë për një klasë të re politike, me duar të pastra, të pakonsumuar dhe të pakompleksuar. Koha po vjen” shprehet Harxhi./ Abcws.al