Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe është arrestuar ditën e sotme për korrupsion me urdhër të SPAK, së bashku me 10 persona të tjerë mes tyre zyrtarë dhe biznesmenë.

Ekzekutimi i urdhërarresteve u bë mëngjesin e sotëm, ndërkohë ai dyshohet se ka favorizuar kompani të caktuara në tendera.  Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që ka çuar sot pas hekurave kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe.

Mirëpo arrestimi i Tushes nuk sjell shkarkimin e tij të menjëhershëm, pasi për të ndodhur kjo gjë duhet që të ketë një vendim të formës së prerë të Gjykatës, siç e parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore.

“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata”, lexohet në ligj.

Varianti i dytë për ndërprerjen e mandatit është propozimi për shkarkim nga Këshilli Bashkiak, për të cilin duhet të pritet të paktën tre muaj: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”. 

E vetmja mënyrë që Fatos Tushe të largohet nga drejtimi i Bashkisë Lushnjë është që ai të japë dorëheqjen. Pra nëse Fatos Tushe nuk dëshiron të lërë mandatin e kryetarit, atëherë ai do të vijojë detyrën nga burgu.

Ky është një rast i ngjashëm me atë të Xhelal Mziut. Në 2013, kreu i Bashkisë së Kamzës u ndalua për abuzim me tendera, që prokuroria i provoi në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku Mziu u dënua me dy vjet burg. Por, Apeli në 2016 e shpalli të pafajshëm, ndërsa gjatë këtyre viteve Kamza u drejtua nga i njëjti person.