Tenistja ruse, Yana Sizikova është arrestuar në Paris nga policia tranceze si pjesë e një hetimi për meçet e kurdisura, njofton mediumi francez “Le Parisien”.

26 vjeçarja, specialiste në dyshe në tenis, u kap nga policia franceze të enjten mbrëma si pjesë e një hetimi që daton nga tetori për “korrupsion sportiv” dhe “mashtrim i organizuar i bandave”.

Sizikova e humbi meçin hapës të turneut në dyshe, 1-6, 1-6 në sete gjatë së enjtes, ku së bashku me partneren Ekaterina Alexandrova u përball me çiftin australian, Ajla Tomljanovic dhe Storm Sanders.

Ndërkaq, arrestimi ka të bëjë me Roland Garrosin e vitit të kaluar, kur kishte lëvizje të çuditshme të kuotave dhe baste të shumta gjatë rundit të parë të meçit të femrave në dyshe, pjesë e të cilit meç ishte edhe vetë Sizikova së bashku me Madison Brenglen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin mposhtur nga dyshja rumune, Andreea Mitu e Patricia Maria Tig, 6-7, 4-6.

Gjatë asaj periudhe, qindra mijëra euro janë raportuar se janë vënë bast për këtë meç derisa seti i dytë ishte 2-2 me geme dhe tenistja ruse kishte për të servuar.

Sizikova ishte fajtore për tri pikët e humbura, përfshirë këtu edhe dy faulle të dyfishta, derisa ajo e humbi servimin e saj me dashje.

Sizikova aktualisht gjendet në vendin e 101-të dhe deri tash i ka fituar 206,617 dollarë në 11 vjet karrierë.