Videot në aplikacionin “TikTok” të kryetares së Gjykatës së Elbasanit janë kritikuar gjerësisht në rrjetet sociale këto ditë.
Enkeleda Kapedani shfaqet në ambientet e Gjykatës dhe zyrës së saj, duke pozuar dhe duke treguar veshjet e firmave luksoze. Në një video tjetër, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”. Ndërsa në një postim nga makina, gjyqtarja i drejton kamerës, gishtin e mesit.
Megjithatë, gazetari Melaim Zeka e konsideron të tepërt, gjithë “vrullin e komenteve negative” nga saj, duke përdorur si metaforë, kalin. “Edhe kali, kur bie para tij, nuk të shkel. Vetëm shqiptarët i hidhen mbi shpinë një njeriu të rrëzuar. Ajo bëri një veprim që mund ta bënte edhe gruaja ime”, thotë Zeka në “Shqipëria live”.
Sipas tij, edhe reagimi i ministres së Drejtësisë ishte i tepërt, pasi “nuk reagon në raste serioze, por bëri kaq të madhe video në TikTok”.
Sot, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar në KLGJ kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit Enkeleda Kapedani, për “diskreditim të figurës dhe pozitës e magjistratit”.