Austria po përgatitet të rihapë një termocentral me qymyr, i cili u mbyll në vitin 2020, për shkak të frikës së ndërprerjes së furnizimit me gaz rus prej luftës në Ukrainë.

BE vendosi sanksione kundër Moskës pasi ajo filloi konfliktin dhe vendet evropiane tani po përgatiten për të pritur hakmarrjen nga Kremlini në lidhje me importet e energjisë.

Sipas Christof Kurzmann-Friedl, një menaxher kantieri në termocentralin, çdo mundësi është e nevojshme tani për të zvogëluar pasojat.

Megjithatë, BE-ja ka ambicie të mëdha për të reduktuar emetimet e karbonit, duke përfshirë një premtim për t’u bërë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050 dhe rifillimi i përdorimit të qymyrit është një pengesë e madhe për qëllimet e bllokut evropian.

Dhe Austria nuk është i vetmi shtet anëtar që përgatitet të përdorë edhe një herë termocentralet e saj me qymyr.

Gjermania dhe Franca kanë bërë njoftime të ngjashme, duke vënë në rrezik të mëtejshëm një tjetër nga synimet klimatike të BE – reduktimin e emetimeve të gazrave serrë me të paktën 55% deri në vitin 2030.

Për Geneviève Pons, nga Instituti Jacques Delors, konflikti në Ukrainë dhe pasojat e tij ekonomike dhe energjetike janë një kërcënim serioz për të gjithë këtë.

“Është mjaft tronditëse që po i lejojmë vetes të kthehemi në rihapjen e termocentraleve që janë dy herë më ndotëse se termocentralet e gazit”, tha Pons për Euroneës. “Ne po ia lejojmë vetes ta bëjmë këtë në vend që të lutemi për një reduktim të konsumit dhe të lutemi në një mënyrë vërtet shumë aktive, d.m.th. duke kryer fushata publike siç bëmë në të kaluarën.”

Për ambientalistët, lufta në Ukrainë nuk duhet të përdoret si justifikim për të vënë në pikëpyetje Paktin e Gjelbër. Ata thonë të kundërtën – se duhet t’i shtyjë shtetet anëtare të veprojnë më shpejt për ta përmbushur atë.