Ergesa Ibrushi 22-vjeç ka ndërruar jetë pas disa ditësh në gjendje të rëndë, pasi u aksidentua rreth dy javë më parë, teksa po udhëtonte si pasagjere në një automjet tip “Seat” në zonën e Fermës në aksin Fier-Seman.

Lajmi është bërë me dije nga faqja zyrtare e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” ku Ibrushi ka qenë nxënëse. Ata i shprehin ngushëllimet familjes së 22-vjeçares, duke e konsideruar atë një vajzë model.

“Me hidhërin të madh ne, si staf pedagogjik i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, për largimin e parakohshëm nga jeta të ish nxënëses tonë Ergesa! Vajza model që me sjelljen e saj dhe përkushtimin që kishte ndaj shkollës ka lenë gjurmë te secili prej nesh.

Ishte vajza që me mirësinë dhe sinqeritetin e saj ishte gjithmonë pranë shokëve dhe shoqeve! Ashtu do mbetesh në sytë tanë, në shpirtin tonë Ergesa. I paharruar kujtimi saj! Lamtumirë e bukura jonë Erges”, mbyllet postimi e shkollës.

Përplasja e fortë ndodhi pasditen e 5 Majit ku mjeti tip Seat ku po udhëtonin dy vajza doli nga rruga duke u përplasur me murin e një karburanti.