Robert Shuman, ish-kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Francës që ideoi Bashkimin Europian, është në rrugën për t’u shpallur shenjt nga Kisha Katolike, për kontributet e tij. Shumani themeloi disa nga institucionet moderne që e larguan kontinentin nga luftërat drejt paqes.

Kisha Katolike synon të shpallë shenjtor ish-ministrin e Jashtëm francez, Robert Shuman, për idenë e krijimit të Bashkimit të sotëm Europian dhe për dhënien fund luftërave në Europë.

Vatikani njoftoi se me një dekret të posaçëm, Papa Françesku ka vlerësuar rolin e Shumanit në krijimin e institucioneve moderne europiane.

I quajtur si “Babai i Europës”, ish-kryeministri dhe kryediplomati francez lindi në Luksemburg në vitin 1886.

Në vitin 1940 ai arriti t’i shpëtojë Gestapos gjermane gjatë pushtimit të Francës dhe më pas ndoqi një karrierë të pasur politike.

Përgjatë dy dekadave pati rol në themelimin e NATO-s, firmosi Traktatin e Parisit bashkë me Gjermaninë Perëndimore, Italinë, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën, dhe ndihmoi të krijojë Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut, institucion paraprijës i BE-së që kishte në themel idenë e bashkëpunimit europian.

Plani i tij, Deklarata Shuman, u shpall ditën e 9 majit 1950 që vazhdon edhe sot, 71 vite më vonë, përkujtohet si Dita e Europës.

Shumani ndërroi jetë 77 vjeç në vitin 1963 si një besimtar i devotshëm i krishterë dhe për këtë është nderuar nga Kisha Katolike.

Ndërkohë shenjtërimi është proces më i gjatë, gjatë të cilit Vatikani do duhet të provojë kryerjen e dy mrekullive nga ana e një personi.

Ora news