Një konflikt për kandidatët e primareve në qytetin e Kurbinit ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e sotme pranë degës së PD-së, fatmirësisht pa viktima.

Lidhur me këtë incident, ish-deputeti Klevis Balliu tha se Partia Demokratike do të hetojë si dhe do të marrë masat për ngjarjen, për të cilën ai tha se është e rëndë dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

I pyetur nga gazetarja Eni Vasili, se mos ndoshta konflikte të tilla për kandidatët e primareve përhapen në të gjithë vendin, Balliu tha se kjo është një ngjarje sporadike.

“Nuk ka asnjë justifikim jo vetëm qëllimi në ajër po edhe mbajtja e armës në një mbledhje politike, sidomos në Partinë Demokratike që i ka dënuar këto ngjarje. Është një rast që ne jo vetëm e dënojmë por edhe do të ketë një hetim për marrjen e masave. Duhet parë se çfarë ka ndodhur dhe se në çfarë gjendje ishte personi.

Por në të gjitha rastet, është e papranueshme kjo ngjarjes. S’ka asnjë arsye pse ai person duhet të ketë armë me vete, vetëm nëse ka arsyet e veta, problemet e veta, por këto në asnjë rast nuk janë pjesë e partisë. Është një rast sporadik. Jam i informuar për çfarë ka ndodhur, dhe në vijim do të kemi më shumë informacion”, u shpreh Balliu.