Një person është vënë në prangat e policisë së Krujës, pasi vinte baste sportive në lokal.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, që ka si qëllim goditjen e rasteve në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati të palejuara.

Si rezultat, është bërë e mundur goditja e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe arrestimi në flagrancë i Xh. K., 41 vjeç, banues në lagjen nr.4, Krujë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

41-vjeçari u kap nga shërbimet e policisë, në lokalin ku punonte, duke vënë baste sportive me anë të një aparati celular, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin M. S., banues në lagjen nr.4 Krujë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.