180 milionë euro për pandeminë, por sërish kushtet e negociatave

Sot kur bëhen 10 vite nga dita kur shqiptarëve iu hoqën vizat me BE-në një tjetër lajm negativ kushtëzon Shqipërinë këtë radhë në marrjen e huave nga Brukseli.

Paralelisht me shpërthimin e protestave në Tiranë ashtu si edhe në Varshavë, BE-ja ka vendosur të kushtëzojë lëvrimin e huasë prej 180 milionë Eurosh për përballimin e efekteve të pandemisë me zbatimin e shtetit ligjor dhe luftën ndaj kriminalitetit.

Këto para, qeveria shqiptare i kishte kërkuar në Prill 2020 dhe jepen tashmë me interes 5 përqind si kredi e butë. Në këtë marrëveshje borxhi ishte, se për herë të parë Shqipërisë kur vjen puna për kredi dhe hua të marra, i vihet një kusht politik që ka të bëjë pikërisht me negociatat dhe mbajtjen e tryezës ndërqeveritare, të cilat u bllokuan nga BE edhe për këtë vit si pasojë e kushteve dhe detyrave të pakryera nga qeveria.

Kështu në një pikë të kësaj marrëveshje shkruhet se kredia do të lëvrohet nga BE në dy transhe 90 milionë euro secili, por i dyti mund të merret vetëm pasi Shqipëria të ketë plotësuar kushtet për asociim në Bashkimin Evropian.

Në fillim të këtij muaji ambasadorët e shteteve anetare nuk hapën negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, pasi konsideruan se nuk janë plotësuar kushtet e vëna që në muajin Mars.

Kjo është hera e parë që vendi ynë shtrëngohet edhe tek borxhi i jashtëm që është një çështje ekonomiko-financiare me një kusht politik, siç është hapja e negociatave dhe nisja e bisedimeve ndërqeveritare me BE-në. 

Brukseli ka kushtëzuar paratë e tij me zbatimin e reformave në funksion të shtetit ligjor edhe shtete të tjera ish-komuniste tashme anëtarë të BE-së si Polonia, Hungaria, Rumania e Bullgaria.

Këto shtete ashtu si Shqipëria kanë kthyer sytë nga Kina për fonde e kredi me kushte më të lehta se Brukseli dhe me qëllime të ndryshme politike.