Behije Arapi, ka udhëtuar nga Italia në Shqipëri për tu paraqitur në ambjentet e Gjykatës së Posaçme SPAK, me qëllim përballjen e saj me 4 nga gjashtë, personat e pandehur që akuzohen për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 15 Gusht 2012 në Elbasan.

E moshuara, është prezantuar para gjykatës si gruaja e viktimës, Nezir Beqiri dhe nëna e viktimës së dytë në sulmin me armë në shtëpinë e tyre, Gentian Beqiri.

Për herë të parë pas 9 vite e gjysëm, Behije Arapi u ballafaqua me të pandehurit, Ardjan Çapja, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli dhe Etien Canin, që Prokuroria e Posaçme i akuzon për vrasjen e dyfishtë.

Gjatë dhënies së dëshmisë së saj, Behije Arapi ka deklaruar se djali i saj Gentiani, qëndronte gjithmonë brenda ambjenteve të shtëpisë, pasi ndodhej në “arrest shtëpie”, pasi që prej 2005 akuzohej nga prokuroria e Elbasanit si pjesëmarës në vrasjen e Sokol Çapjas.

Si pasojë e kësaj ngjarje, ka treguar Behije Arapi, familja e tyre ishte futur në hasmëri me familjen Çapja, të cilëve u druheshin për një hakmarje të mundshme.

Kjo pasi në kohë dhe nga njerëz të ndryshëm kishin marrë kërcënim. E moshura ka deklaruar se “kam dalë atë ditë në mëngjes me qëllim për të bërë pazarin. Në banesë kam lënë burrin Nezirin dhe djalin tim, Gentian Beqirin. Kur kam dalë, dera e shtëpisë ka qenë e mbyllur nga brenda me shul nga burri im Neziri dhe për këtë jam shumë e sigurtë. Kjo gjë bëhej me qëllim që të ruhej Gentiani nga hasmëritë, pasi ne kishim konflikt të hapur vetëm me familjarë të fisit Çapja dhe mund të na vrisnin”.

Sipas rrëfimit të Behije Arapit, dera nuk u hapej kurrë personave të panjohur prej tyre.

“Ne përpara se të hapnin derën bënin konstatimin dhe pasi bindeshim që personi ishte i njohuri ynë, atëherë bënin hapjen e derës”-ka treguar nëna e Gentian Beqirit.

Behije Arapi, ndër të tjera ka deklaruar se “në banesën e tyre gjatë kohës që Gentiani ishte më masën e sigurimit “arrest në shtëpi” si i dyshuar si njëri prej autorëve të vrasjes së Sokol Çapja, në shtëpi kanë shkuar shpesh Etjen Cani, Lorenc Skilja, të dy banorë të lagjes “Çlirimi” nw Elbasan.

Në shtëpi shkonte dhe një person tjetër, që njihej nga djali i saj, Gentiani. Ajo deklaron se Etjeni dhe Lorenci shkonin pothuajse çdo ditë tek Gentiani dhe këtyre personave dera ju hapej sa herë që ata trokisnin, pasi ata ishin bërë si të shtëpisë.

Personi i tretë që hynte dhe dilte në shtëpinë e Gentian Beqirit është Ervis Bardhi, i pandehur dhe bashkëpuntor i prokurorisë në këtë çështje penale.

Behija, ka treguar se vetëm kur është kthyer nga pazari i mëngjesit dhe ka shkuar në shtëpi ka mësuar se çfarë kishte ndodhur.

Mes dëshmitarëve të tjerë që u pyetën në gjykatë ishte dhe Sokrat Thano, pronari i një shtëpie në zonën e Universitetit, ku dy vrasësit, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, kanë qëndruar së bashku me qira për një periudhë 2 mujore, duke bërë planin e vrasjes së Gentian Beqirit brenda shtëpisë së tij.

Ndërsa në gjykatë, ka dëshmuar dhe Albert Lazari, një taksist nga Elbasani, i cili është dhe kushëriri i Olsi Lekut, i cili pas vrasjes së dyfishtë ka marrë me taksinë e tij Ervis Bardhin nga zona e Fushë-Mbretit duke e transportuar në Tiranë, tek banesa e vjehrrit të Olsi Lekut në Kombinat.

Pas këtij dëshmitari seanca gjyqësore është ndërprerë, pasi njëra nga gjyqtaret e trupit gjykues duhej të paraqitej në një gjyq tjetër kundër të pandehurit, Redjan Rraja.

Pritet që seanca e rradhës kundër këtij grupi të zhvillohet në datën 29 dhjetor.

Ndërsa në këtë çështje SPAKvijon të jetë në pritje të ekstradimit nga Athina të pandehurit Olsi Leku dhe nga Dubai të tw pandehurit tjetër, Florenc Çapja.

  • ora news