Një incident ka ndodhur ditën e djeshme në aeroportin “Nikola Tesla” në Serbi ku persona të panjohur kanë shkatërruar makinën e kryetarit të LDP-së, Çedomir Jovanoviç dhe i janë drejtuar me fyerje.

Sipas B92, Jovanoviç ka ardhur në aeroport për të pritur djalin e tij, i cili studion në Britaninë e Madhe, dhe teksa priste vetura e tij e parkuar jashtë është dëmtuar nga një grup të rinjsh. Ai e parkoi makinën në korsinë e ndalimit para hyrjes së godinës së aeroportit. Kur është kthyer ka gjetur pjesë të thyera të makinës, ndërsa një grup të rinjsh e kanë fyer.

“Ti e ke shitur Serbinë” , i kanë thënë personat e panjohur që i kanë bërtitur dhe e kanë ofenduar Jovanoviç teksa i është afruar makinës.

Vetëm pas kësaj, Jovanoviç pa se targat në makinë ishin hequr, fshirëset ishin thyer dhe dera ishte e këputur. Dy ekipe policie kanë kryer hetime dhe e gjithë pjesa në aeroport është nën vëzhgimin e kamerave.