Bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij me vlerë 60 000 euro, për të përfituar kompensimin me të njëjtën vlerë, procedohet penalisht 27-vjeçari.
Gjendet i fshehur në një garazh dhe sekuestrohet automjeti i 27-vjeçarit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi K. C., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60 000 euro, organizuan punën për zbardhjen e këtij rasti.
Nga veprimet hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike të siguruara, rezultoi se shtetasi K. C. kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. C., 27 vjeç, banues në Itali.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, automjeti tip “Range Rover”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.