Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë pak momente më parë nga mbledhja që po mbahet në selinë e PD, nga Grupi Parlamentar i kësaj force politike. Berisha u ka thënë gazetarëve, se për të, Enkelejd Alibeaj nuk është më kryetar i grupit.

“Pas vendimit të tij për të paditur PD, për llogari të qeverisë në Gjykatë, unë mund t’ju them se për mua ai pushon së qenuri kryetar grupi”, tha në deklaratë publike ish-kryeministri. Ai i referohet ankimimit që Alibeaj i bëri vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila njohu Statutin e Rithemelimit.

I pyetur nga gazetarët nëse ekziston mundësia që të përjashtohet çdo person që mendon ndryshe nga Berisha, ai u shpreh se padia e Alibeajt ishte e gabuar.

“Nuk është fjala për mendim, është për veprim. Veprimi është shumë i gabuar. Padia është të mos pranosh një proces që sot nuk e pranon asnjë shqiptar. Nuk ka asnjë tagër se ai e konsideron veten kryetar të PD në një kohë kur nuk ka asnjë funksion”, tha më tej ish-kryeministri.

Pak pas mesditës së sotme në selinë e PD ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar. Temat kryesore që po diskutohen janë procesi i ribashkimit të partisë dhe përplasjet që kanë nisur prej muajsh në PD. Debatet kanë nisur që nisje të mbledhjes, me Berishën që i kërkoi Alibeajt të jepte dorëheqjen.