Berisha deklaroi se nuk ka vend në PD për të! Reagon Alibeaj: Paska gjetur sot armiq te rinj, është shkaku i përçarjes së opozitës
Ish kryeministri Sali Berisha ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarët ku ka analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij ai iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve për një rikthim të mundshëm të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, ku tha se këto dy persona nuk kanë vend në PD.
Lidhur me këto komente ka reaguar edhe ish kreu i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj një reagim në Facebook.
Ai u shpreh se “humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit, paska gjetur armiq të rinj”.
Më tej Alibeaj shtoi se Berisha është arsyeja e vërtetë e përçarjes së opozitës, ndërsa ka shtuar se bashkëpunimi me PL ishte ajo që shkaktoi refuzimin e madh më 14 maj.
“Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të PD.