Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë të premte një bashkëbisedim me gazetarët në selinë blu. Lideri historik i demokratëve u ndal tek rritja e çmimeve të produkteve. Sipas tij, po shkohet drejt mungesës së ushqimeve në familjet e zakonshme shqiptare. Po ashtu, Berisha shtoi se bordet e krijuara nga qeveria për çmimet të rikujtojnë kohën e diktaturës.

“Faktikisht, po shkohet drejt mungesës së ushqimeve në familjet e zakonshme shqiptare. Bordet e krijuara nga qeveria janë forma të vjetra që të rikujtojnë kohërat e diktaturave. Nuk mund të ketë borde për rregullimin e çmimit të ushqimeve. Qeveria ka të gjitha mundësitë dhe mënyrat kur ajo nuk është frymëzuese e spekulimit të godasë spekulimin aty ku lind. Por qeveria është e detyruar të zbatojë praktika transparente dhe të mbrojë popullatën nga ky agresion i vërtetë i rritjes së çmimeve që kërcënon jetën e përditshme të familjeve shqiptare. Bordet, veçse përligjin spekulimin dhe krijojnë në këtë përligjje rrugë të reja spekulimi. Anulimi i bordeve përveç Entit Regullator të Energjisë i cili është institucion konstant në çdo vend dhe çdo kohë, por anulimi i menjëhershëm i bordeve është kusht për marrjen e masave të cilat janë fare të thjeshta. Qeveria kompenson një për një rritjen e çmimit, të produkteve të shportës. Kjo praktikë është praktikë e ndjekur në të gjitha kohërat”, tha Berisha.

Sipas Berishës, qeveria e sotme po ndan përfitimet prej rritjes së çmimeve me klientelën e saj. Ndër të tjera, ish-kryeministri u ndal edhe tek deklarata e qeverisë për të rritur çmimin për ata që shpenzojnë mbi 700 KW/orë. Lideri historik i demokratëve tha se me këtë mënyrë goditen me dhjetëra mijëra familje dhe biznese të vogla. Ndërkohë, Bitcoin që sipas Berishës, kontrollohet nga qeveria, gllabëron energji në mënyrë të papërmbajtur.

“Ata që shpenzojnë mbi 700 KW/orë do të shumëfishojnë çmimin e energjisë. Kë godasin në këtë mënyrë? Godasin dhjetëra mijëra familje, biznese të vogla. Ndërkohë që Bitcon i kontrolluar nga qeveria gllabëron nga jugu në veri energji në mënyrë gratis dhe mënyrë të papërmbajtur. Gjerësisht flitet se kontrollin e Bitcoin e kanë marrë klanet më të larta qeveritare”, u shpreh Berisha.