Kreu i PD, Sali Berisha, në një takim me të rinjtë në Durrës, u shpreh se Edi Rama shkoi si një monist në Bruksel në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.

“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në mirëbesim, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve”.

Berisha tha më tej se nëse do të ishte ftuar nga Rama do të kishte shkuar në Brusel, por nuk do të shtrëngonte duart me kryeministrin.

“Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit”, tha Berisha.