Ish-kryeministri Sali Berisha po mban fjalën në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Ai edhe një herë ka sulmuar ish-kreun e PD, Lulzim Basha duke thënë se ai dështoi në drejtimin e PD në 8 vite.

Ne mblidhemi sot në këtë takim, mbledhje shumë të rëndësishme për të zgjedhur forumin drejtues të PD për 4 vitet që vijnë për zgjedhur kryesinë e kësaj partie. Ky përbën një moment të veçantë. Ne ia dolëm përkundër vështirësive të jashtëzakonshme të jemi sot opozitë e vërtetë, të jemi sot më të fuqishëm se kurrë. Sa herë që të analizosh këtë process, këtë arritje historike, proces të papërsëritshëm, gjen se merita absolute u takon anëtarëve të PD-së. Ata në 8 vite, tani jemi në të 9-tin, kishin ruajtur si gjënë më të çmuar misionin e tyre të lirisë.

Ata u ngritën sapo u dha kushtrimi, sapo u bë thirrja, u ngritën në këmbë për të shpëtuar forcën e tyre politike. Me idealet e tyre udhëheqëse kishin arritur që edhe në zgjedhjet e fundit ta mbajnë këtë parti forcën më të madhe politike në Europën post komuniste pas FIDES të Hungarisë.

PD kaloi nga humbja në humbje për shkak të udhëheqjes së saj problematike, dështake, për shkak të pazareve të udhëheqjes së saj dhe jo për shkak të anëtarëve. Ata iu përgjigjën çdo thirrje në 8 vite, sakrifikuan dhe bënë çdo sakrificë të madhe në 8 vite. E gjitha kjo përbën një detyrim madhor për ne” tha Berisha.