Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 108 duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.

Ky moment historik i zymtë erdhi pasi Kievi njoftoi se Moska tani ka në kontroll një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donbasit që janë aneksuar në 2014. Pasi u tërhoqën nga kryeqyteti, trupat e Presidentit Vladimir Putin janë pozicionuar në Ukrainën lindore, duke rritur frikën se lufta mund të zgjatet.

Betejat më të ashpra po zhvillohën në Donbas, ku qëllimi i forcave ruse është marrja në kontroll e të gjithë territorit të Severodonetsk. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se “luftimet intensive nga rruga në rrugë po vazhdojnë” rreth Sieverodonetsk, por shtoi se forcat ruse nuk kanë bërë përparime në jug të qytetit.

Të dyja palët ka të ngjarë të vuajnë nga një numër i madh viktimash, paralajmëroi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Presidenti i SHBA-së, tha se Zelensky nuk e dëgjoi kur ai e paralajmëroi për një pushtim të mundshëm rus.

Ndërkohë Rusia ka nisur shpërndarjen e pashaportave ruse në Zaporizhia.

Po çfarë ka ndodhur deri më tani në Ukrainë:

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se rezultati i luftës në vendin e tij do të ndikojë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në të ardhmen e rendit ndërkombëtar, shkruan BBC.

“Rregullat e ardhshme të kësaj bote po vendosen pikërisht në fushat e betejës së Ukrainës,” tha presidenti ukrainas.

Duke folur gjatë një konferencë në Singapor, ai tha se vendi  i tij po kërkon të largojë rusët nga zonat që ka kontrolluar që nga fillimi i luftës. Ai shtoi se forcat ukrainase po mbrohen gjithashtu kundër sulmeve të ashpra ruse në lindje të vendit, veçanërisht rreth qytetit të Severodonetsk.

Duke vënë në dukje mbështetjen e deritanishme nga Perëndimi dhe aleatët e tij aziatikë, Zelensky tha se ishte thelbësore qe kombet të dërgojnë ndihma dhe të mos heqin dorë.

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev. Von der Leyen udhëtoi për në kryeqytetin ukrainas me tren, në një vizitë të papritur dhe sekrete për arsye sigurie, sipas la repubblica.

Ajo pritet të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky dhe do të ketë një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të institucioneve ukrainase. Kjo është hera e dytë që nga fillimi i luftës që von der Leyen viziton  Ukrainën.

Gjatë vizitës së saj të parë në Ukrainë, Von der Leyen vizitoi Buchan dhe  tha se BE-ja do të bënte gjithçka për të mbështetur Ukrainën për të bërë “hapat e nevojshëm” për të siguruar anëtarësimin në bllok, gjë të cilën Zelensky e ka kërkuar me ngulm.

10:33- Zelensky: Do të fitojmë luftën së bashku me Britaninë dhe Poloninë

Në një fjalim drejtuar studentëve të universiteteve britanike, Zelensky tha se Ukraina do të shënojë një “fitore të përbashkët” me Britaninë dhe Poloninë kur të fitojë luftën kundër Rusisë, për shkak të aleancës së trefishtë të krijuar midis vendeve, shkruan BBC.

Zelensky tha se aleanca Kiev-Varshavë-Londër u krijua spontanisht dhe se Ukraina, Polonia dhe Britania e Madhe kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë.

“Përveç historisë, është e tashmja, në të cilën, që nga dita e parë, kemi pasur një kimi politike me liderët e këtyre vendeve”, tha Zelensky.

Ai vuri në dukje se liderët dhe popujt politikë polakë dhe britanikë e kishin mbështetur Ukrainën që në fillim, me Poloninë që shërbente si “shtytësi kryesor” për furnizimet me armë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

10:27- Lufta në Ukrainë, nga sot nis shpërndarja e pasaportave ruse në Zaporizhia

Nga sot, 11 qershor do të shpërndahen pasaporta ruse në një pjesë të qytetit Ukrainas Zaporizhia, i cili kontrollohet pjesërisht nga ushtria e Kremlinit. Sipas medieve të huaja ukrainasit që do të pajisen me pasaporta ruse do të konsiderohen qytetarë rusë, tha Vladimir Rogov, një zyrtar rus për median ruse Rossia-24.

Sipas tij mbi 70 mijë ukrainas kanë aplikuar për pasaportë ruse në qye tetin e Zaporizhia.

Një muaj më parë presidenti rus, Vladimir Putin thjeshtësoi procedurat e aplikimit për pasaporta ruse për shtetaset ukrainas, duke :joshur: në këtë mënyrë ukrainasit që të ndërrojnë nënshtetësi.

Moska ka shpërndarë dokumentet përkatëse në disa territore të tjera të pushtuara dhe ka futur rublën si monedhën e saj.

10:11- Rritet numri i fëmijëve të vrarë në Mariupol, Ukraina njofton vdekjen e 24 të miturve të tjerë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës në një deklaratë ditën e sotme njoftoi vdekjen e 24 fëmijëve të tjerë në Mariupol, porti në pjesën juglindore të vendit që ka qenë në sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse për javë të tëra. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se të paktën 287 fëmijë kishin vdekur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Të paktën 492 janë plagosur.

“Gjatë regjistrimit të veprave penale, u bë e ditur se 24 fëmijë të tjerë vdiqën në Mariupol, në rajonin e Donetskut, për shkak të bombardimeve pa kriter nga ushtria ruse”, tha Prokuroria e Përgjithshme në një postim në Telegram.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit – i cili është shkatërruar për shkak të rrethimit  tha  ka shpërthyer në qytet kolera,  pasi rrjeti i kanalizimeve nuk funksionon dhe kufomat po dekompozohen në rrugë.

09:21- Një luftë e gjatë në Ukrainë, mund të shkaktojë kaos global

Lufta në Ukrainë është shndërruar në një konflikt brutal pa një fund të dukshëm në horizont. Ndërsa konflikti po zgjat, lind natyrshëm pyetja: Cilën palë favorizon koha? Kievi shpreson se do ta forcojë pozitën e tij me kalimin e muajve, pasi një Rusi e izoluar po ballafaqohet me një katastrofë ekonomike dhe ushtarake.

Ndërkohë basti i presidentit rus Vladimir Putin, është se ai mund ta shkatërrojë Ukrainën edhe me një ushtri të dobësuar, teksa po e përdor kërcënimin e një kaosi ekonomik global, për të ndalur ndihmën që po merr Kievi nga Perëndimi.

Secila palë po përpiqet ta përgjakë sa më shumë kundërshtarin për ta nënshtruar atë, një dinamikë që do të nxisë një destabilitet të gjerë, dhe që do ta ballafaqojë SHBA-në me sfida shumë serioze. Gjatë javëve të fundit, luftimet janë zhvilluar kryesisht në Ukrainën Lindore.