Në një projekt-ligj të ri, Presidenti Joe Biden ka propozuar një taksë minimale prej 20% për familjet me të ardhura mbi 100 milionë dollarë. Propozimi nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e duhur për të hyrë në fuqi këtë vit, por ka sjellë në vëmendje debatin se çfarë duhet të bëjë qeveria me të ardhurat marramendëse të amerikanëve më të pasur.

Një nga gratë më të pasura të botës, MacKenzie Scott, ka dhuruar mbi 12 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit, duke kontribuar me fonde për mbi 1200 organizata të përqëndruara tek drejtësia raciale, ndryshimi klimatik, arsimi, të drejtat e abortit, ndihma humanitare për luftën në Ukrainë, të drejtat e njeriut etj.

“I përdorim këto fonde në mënyrat që dëshirojnë komunitetet dhe në mënyra strategjike. Jemi shumë të kënaqur”, thotë Erik Stegman, nga organizata “Indianët e Amerikës në Filantropi”.

Ish-bashkëshortja e themeluesit të kompanisë Amazon, Jeff Bezos, dhuron më shumë se ish-bashkëshorti i saj, i cili ka një vlerë neto prej qindra miliarda dollarësh. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë miliarderë se çdo vend tjetër i botës dhe shpesh shtrohet pyetja nëse sistemi i taksave duhet të vjelë më shumë nga këto pasuri të mëdha. Presidenti Joe Biden mendon se po.

“Një zjarrfikës apo një mësues paguan mbi dyfishin e nivelin të tatimit që paguan një miliarder. Kjo nuk është e drejtë dhe për këtë arsye projektligji që kam propozuar parashikon një taksë minimale që duhet të paguajnë miliarderët. Tatimi minimal prej 20% do të aplikohet për vetëm për më të pasurit e një përqindshit të amerikanëve”, tha ai.

“Një zjarrfikës apo një mësues paguan mbi dyfishin e nivelin të tatimit që paguan një miliarder. Kjo nuk është e drejtë dhe për këtë arsye projektligji që kam propozuar parashikon një taksë minimale që duhet të paguajnë miliarderët. Tatimi minimal prej 20% do të aplikohet për vetëm për më të pasurit e një përqindshit të amerikanëve”, tha ai.

Presidenti Biden thotë se miliarderët paguajnë aktualisht një mesatare prej tetë përqind taksa për të ardhurat e tyre.

“Konstatojmë se shpesh më të pasurit në vend mund të paguajnë pak ose aspak tatime për të ardhurat. Kjo ndodh për shkak se burimi kryesor i të ardhurave të tyre çdo vit nuk është nga paga, por nga rritja e aseteve të tyre”, thotë Chuck Marr, Qendra për Prioritetet Buxhetore dhe të Politikave.

Ekspertë të tjerë thonë se të pasurit paguajnë mjaftueshëm kur mblidhen të gjitha format e tatimit, madje deri në 32% të të ardhurave të tyre. Ata thonë gjithashtu se kontribuojnë në mënyra të tjera për ekonominë.

“Pjesa më e madhe e pasurive të milionerëve dhe miliarderëve është në pronësinë e bizneseve. Pjesa më e madhe e pasurisë së Jeff Bezos është pronësia e Korporatës Amazon, e cila punëson miliona njerëz çdo vit. Pra nuk dua që Jeff Bezos të paguajë më shumë taksa dhe të ulë kështu vlerën e kompanisë Amazon”, thotë ekonomisti Chris Edwards, nga Instituti “CATO”.

Presidenti Biden thotë se nga taksa që ai synon t’u vendosë miliarderëve do të hyjnë 360 miliardë dollarë në buxhetin federal. Projektligji nuk pritet të miratohet nga Senati këtë vit, por mbështetësit thonë se po krijohet momenti i duhur për të vendosur këtë taksa për më të pasurit. Shumica e amerikanëve mendojnë se njerëzit më të pasur në vend nuk paguajnë taksa sa ç’duhet./VOA