Rritja e çmimeve është ngadalësuar sërish në muajin prill, dukë reflektuar bazën e lartë të një viti më parë.
Tendenca është ndikuar më së shumti nga rënia e çmimeve të karburanteve, që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin rreth 240 lekë për litër, ndërsa këtë vit kanë zbritur poshtë 180 lekëve.
Por çmimet e ushqimeve vijojnë të mbeten të shtrenjta, duke dhënë ndikimin kryesor në inflacion.
Sipas INSTAT Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Prill 2023, arriti 114,7 kundrejt muajit Dhjetor 2020.
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2023 është 4,6 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 6,2 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2023, krahasuar me Mars 2023 është 0,03 %.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,43 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,48 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,20 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,71 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,6 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3 %, “Shërbimi arsimor” me 2,1 %, “Shëndeti” me 1,4 % dhe “Komunikimi” me 1,2 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënoi ulje me 10,7 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 15,5 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 13,5 %, “mish” me 12,3 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 10,7 %, “fruta” me 7,7 %, “bukë dhe drithra” me 5,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 4,9 %.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2023, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” u rritën me 0,9 %, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6 %, Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,5 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 %, “Shëndeti” me 0,3 %, “Komunikimi” me 0,2 %, “Veshje dhe këpucë” dhe Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën më 1,1 %, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2 %./Monitor