Dekani i Fakultetit të  Sigurisë dhe Hetimit, profesor Ilirjan Mandro emërohet Rektor i Akademisë së Sigurisë. Drejtori Gledis Nano prezantoi ditën e sotme Mandron në këtë detyrë të re dhe kërkoi nga ai fuqizimin e institucionit.

Gjatë fjalës së tij, Nano vlerësoi punën, angazhimin dhe profesionalizmin e ish-Rektorit të Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj, i cili tashmë është emëruar Këshilltar në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kryepolici theksoi se Akademia e Sigurisë kishte nevojë për një impuls të ri dhe në këtë kuadër zgjedhja e Ilirjan Mandros do të çojë me tej projektet e nisura nga vetë Akademia dhe nga Policia e Shtetit, për ta fuqizuar më tej këtë institucion.

Gledis Nano i ka vendosur profesor Mandros në mënyrë simbolike gradën drejtues i lartë.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar të punohet me përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm në edukimin e brezave të ardhshëm të Policisë, pasi Akademia e Sigurisë është institucioni me i rëndësishëm që shkollon dhe trajnon brezat, jo vetëm të Policisë së  Shtetit, por edhe të shumë institucioneve të tjera në vend.

Ish-drejtori Bilbil Memaj, i cili ka mbajtur për disa vite postin e Rektorit, ka falënderuar Drejtorin Gledis Nano për vlerësimin dhe i ka uruar Rektorit të ri suksese në detyrë. Edhe Mandro është shprehur se do ta përmbushë më përkushtim e ndershmëri detyrën, përmes një filozofie të re për ta çuar në një stad tjetër Akademinë e Sigurisë.