E keni menduar ndonjëherë që 15 minuta mund të ndryshojnë gjithçka? Pasi të lexoni historinë e Aylin dhe Alfredo Trujillo, dy binjakëve që erdhën në jetë në ditë, muaj dhe vite të ndryshme, do të bindeni për këtë gjë. Alfredo lindi në orën 23:46 minuta, më 31 dhjetor 2021, ndërsa motra e tij erdhi në jetë në orën 00:01 të 1 janarit 2022. Aylin peshonte 2.6 kilogramë dhe ishte fëmija i parë i lindur në maternitetin ”Natividad” në Monterey për vitin 2022. Ndërsa vëllai i saj Alfredo, peshonte gati 3 kg.

Në SHBA vijnë në jetë afërsisht 120 mijë binjakë, por mundësia që ata të lindin në vite të ndryshme është një në dy milionë. “Ky është një nga momentet më të paharrueshme të karrierës sime. Ishte një kënaqësi e vërtetë t’i ndihmoja këta binjakë të vinin në jetë shëndoshë e mirë në vitin 2021 dhe vitin 2022. Çfarë mënyre fantastike për të nisur vitin e ri”, u shpreh mjekja Ana Abril Arias.

“Për mua është çmenduri që ata janë binjakë dhe e kanë ditëlindjen në vite të ndryshme”, tha Fatima Madrigal, nëna fatlume që i solli ata në jetë.