Ditën e sotme, banorët e lagjes nr. 13 në qytetin e Durrësit kanë bllokuar punimet në rrugën “Rrota e kuqe”.

Gjatë sezonit të shirave kjo rrugë, për shkak të shkarkueseve të vogla dhe të vjetra, të cilat nuk mund të përballojnë sasinë e madhe të reshjeve, përmbytet, me ujin që arrin deri në nivelin e banesave.

Këtë shqetësim e ngrejnë vetë banorët, të cilët deklarojnë se u duhet të dalin me çizme kur ka shira, pasi niveli i ujit arrin mbi 20cm, duke ia bërë të vështirë jetesën.

“Ne jemi të gjithë si familjarë që mbytemi në ujë. Për këtë po protestojmë ne, për këtë po ankohemi ne. Rruga edhe në behar, jo më në dimër, komplet ujë është”, tha një prej banorëve.

“Problemi në lagjen tonë ka nja 20 vjet. Nga shtëpia unë s’dal dot se bëhet liqen, edhe pse pompat unë i paguaj vetë nga xhepi im korentin e ujit të qeverisë”, nënvizoi një tjetër.

Ata ngrenë shqetësimin se, mbi të gjitha kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve, nuk ka vendosur asnjë tabelë për nisjen e punimeve, në të cilën të shpjegohet data e nisjes apo e përfundimit, si edhe të dhënat e tjera përkatëse.