Ish-agjenti i SHISH, Xhevahir Mzhika është arrestuar sot nga policia e Tiranës pasi ai kishte kryer një vrasje në 2014 dhe u dënua me 10 vite burg.

Në gusht të 2014 Mzhika ka shkuar i revoltuar në servisin e Florian Selmanit pas një defekti me gomën që ishte vënë nga ai duke vrarë këtë të fundit.

Sipas Gjykatës, Florian Selmani dhe vëllai i tij kanë pasur në pronësi një servis automjetesh pranë ish-Fushës së Aviacionit. Xhevahir Mzhika është me banim në të njëjtën lagje dhe ka qenë klient i këtij servisi.

Procesi gjyqesor u zhvillua në mungesë të tij pasi ai u largua menjëherë nga vendi i krimit duke u shpallur ne kerkim nga policia.

Dinamika e ngjarjes së 2014:
Pasi ka debatuar me pronarët e servisit ku ishte klient, ata janë përleshur fizikisht dhe Mzhikës i ka rënë në tokë një çantë e zezë, të cilën e mbante të hedhur krahëqafë. Duke u larguar për nga porta e servisit, ai është ulur, ka marrë çantën, ka nxjerrë prej saj një pistoletë të vogël me ngjyrë gri, me të cilën ka qëlluar një herë drejt viktimës Florian Selmani. Ai ka shtënë nga një distancë e afërt në pjesën e majtë të kraharorit.

Viktima ka vazhduar të ecë pak metra dhe më pas është rrëzuar, duke humbur ndjenjat për shkak të gjakderdhjes. Ai është shoqëruar menjëherë për në spital nga vëllai i tij, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë. Nga ana tjetër, pasi ka qëlluar me armë, Xhevahir Mzhika është larguar menjëherë dhe që nga ajo ditë nuk është gjetur më, me gjithë kërkimet e bëra nga policia.

Sot Policia e Tiranës ka mundur ta kapë pas 7 vitesh kërkim. 51-vjeçari u arrestua në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por më pas efektivët neutralizuan situaten.