Dita Ndërkombëtare e AIDS-it është duke u shënuar më 1 dhjetor, në kohën kur një pandemi krejt tjetër ka përfshirë botën.
Drejtorja ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS, Winnie Byanyima, ka thënë se njerëzit duhet të kujtojnë përvojën me viruset ndaj të cilave nuk ka imunitet njeriu, siç është HIV, teksa shpresojnë për vaksina kundër koronavirusit dhe të “sigurojnë se ato nuk do të jenë privilegje të personave të pasur.
Byanyima ka thënë përmes një deklarate se bota duhet të mësojë nga gabimet e përgjigjjes ndaj HIV-it “kur miliona persona në shtetet në zhvillim, kanë vdekur duke pritur për trajtim”.
Ajo ka shtuar se sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi është duke zgjeruar pabarazitë që tashmë ekzistojnë dhe është duke kërcënuar përparimin që është bërë në shëndetësi dhe zhvillim në 20 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe përparimin e bërë për HIV.
Ky program ka paralajmëruar se pengesat që janë krijuar në shërbimet shëndetësore si pasojë e pandemisë së koronavirusit, mund të rezultojnë me 293,000 infektime me HIV dhe rreth 148,000 vdekje të lidhura me AIDS-in deri më 2022.
Vitin e kaluar, 12 milionë persona që jetojnë me virusin HIV, nuk kanë pasur qasje në ilaçe, sipas raportit vjetor të këtij programi.
Në raport është thënë se 1.7 milion persona janë infektuar me HIV më 2019, sepse nuk kanë pasur qasje në shërbime thelbësore.
Aktualisht, më shumë se 38 milionë persona në gjithë botën janë të infektuar me HIV.
Pandemia AIDS ka vrarë rreth 33 milionë persona prej kur ka shpërthyer më 1980, shkruan Rel. Dita Botërore e AIDS-it është përcaktuar të jetë 1 Dhjetori, nga viti 1988.