Deputeti socialist Erion Braçe,i kërkoi qeverisë që të bëjë një paketë të re në mbështetjeje për të gjithë ata qytetarë që po goditen më fortë nga kriza e rritjes së çmimeve së fundmi në vend. 

Ai foli sot në Kuvend për krizën e çmimeve, duke theksuar se kjo është goditja e tretë për ekonominë në vitet e fundit, dhe sipas tij, inflacioni është i ndjeshëm, është kthyer në inflacion me bazë të gjerë dhe pritet të mbetet në nivele të larta muajt në vijim.

Pjesë nga fjala e Erion Braçes:

FMN e vë theksin përtej politkiës monetare. Vihet në dukje fakti se nuk kemi krizë, por kemi goditje. Rritja e energjisë dhe çmimeve dhe rritja e kostove të financimit të jashtëm për shkak të luftës në Ukrainë, përbëjnë goditjen e tretë për ekonominë tonë.  

Së dyti sjell faktin se do të kemi rritje ekonomike përsëri. Rritja ekonomike në vitin 2022 paraqitet të jetë 3%, por do të jetë e zbehtë nga rritja e çmimeve. Inflacionin e ndjejnë qytetarët në xhepat e tyre cdo ditë. Është inflacion i ndjeshëm, është kthyer në inflacion me bazë të gjerë dhe pritet të mbetet në nivele të larta muajt në vijim.

Populizmi nuk duhet të kthehet në barrë për ekonominë kombëtare. Buxheti që ndryshuam me aktin normativ ka akomoduar nevojat shtesë të ekonomisë, por edhe nevojat për të mbështetur të varfrit, por duhet rishpërndarje dhe kjo duhet bërë tani. Tani duhet një paketë e re mbështetje për ata që po goditen më fortë.