Tingujt e këmbanës së “sahatit” të famshëm të Londrës Big Ben shënuan hapjen e një kapitulli të ri për Britaninë e Madhe, atë të një vendi të shkëputur krejtësisht nga Bashkimi Europian pas më shumë se tre vitesh nga referendumi i Brexit, kur kauza për daljen nga unioni fitoi me një diferencë tepër të ngushtë.

Nga kjo e Premte, hyrje-daljet e mallrave bëhen në bazë të rregullave të marrëdhënies së re tregtare të arritur me shumë vështirësi në fund të 2020-s. Kontrollet doganore me hapësirën e përbashkët europiane rikthehen për herë të parë pas 48 vitesh, që kur Britania e Madhe u anëtarësua në Bashkimin Europian.

Në portin e Kalesë, pika kryesore detare e transportit të mallrave mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, por edhe në hyrjet e Eurotunelit, pati radhë të gjata për shkak të këtyre kontrolleve.

Megjithatë, për kryeministrin britanik Boris Xhonson, kjo është dita kur britanikët marrin më në fund në dorë të gjitha liritë. Sipas tij, britanikët kanë zotësinë për t’i bërë gjërat ndryshe dhe më mirë.

Nga 1 Janari, presidenca 6 mujore e Bashkimit Europian kalon nga Gjermania tek Portugalia, me shpresën që hapjes së kapitujve të parë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut edhe pse fokusi i Lisbonës është tek forcimi i marrëdhënieve me SHBA-në, vendet e Afrikës dhe Amerikës Latine.