Këngëtarja e njohur Britney Spears më në fund është plotësisht e lirë.

Një gjykatës në Los Anxhelos ka vendosur që të ndërpresë kujdestarinë që kishte fituar i ati ndaj këngëtares, qoftë në aspektin e shëndetit, qoftë në atë pasuror.

Në këtë mënyrë këngëtarja më në fund ka rimarrë kontrollin e jetës së saj, ndërkohë që në favor të saj pati disa fushata dhe thirrje sensibilizuese.

“Ka hyrë në fuqi menjëherë nga sot, ndërprerja e kujdestarisë, si për personin ashtu edhe për pasurinë”, u tha mediave jashtë gjykatës të premten Mathew Rosengart, avokati i yllit të popit. “Kjo është një ditë monumentale për Britney Spears.”

Spears falënderoi fansat e saj në Instagram, duke e quajtur fundin e kujdestarisë si “ditën e saj më të mirë që ka pasur ndonjëherë”. Ajo ka postuar një klip të saj të shkurtër të titulluar “Më në fund e lirë!”

Babai i këngëtarit, Jamie Spears, bëri kërkesë për ta vendosur vajzën e tij nën kujdestari që në vitin 2008, duke përmendur shqetësimet për shëndetin e saj mendor.

Marrëveshja i dha të drejtë Jamie Spears, që të kishte kontroll mbi të ardhurat e këngëtares, duke përfshirë të ardhurat nga shfaqjet dhe aspekte të tjera kryesore të jetës së saj personale dhe profesionale.

Për vite me radhë, disa fansa kanë spekuluar se Spears ishte e pakënaqur duke jetuar nën kufizime dhe zhvilloi një fushatë “Free Britney” për t’i dhënë fund kujdestarisë. U zbulua verën e kaluar se Spears me të vërtetë po luftonte një betejë ligjore për t’u çliruar nga regjimi që ajo e quajti “abuziv”.