Bullgaria i prish festën Maqedonisë së Veriut duke i dërguar një notë proteste pas nisjes së negociatave të anëtarësimit. Sofja zyrtare thotë se përmendja e gjuhës maqedonase në dokumentet e Bashkimit Europian nuk duhet të interpretohet si njohje e saj nga Bullgaria.

Madje pretendon se gjuha maqedonase është bazuar në gjuhën letrare bullgare. “Krijimi i ‘gjuhës maqedonase’ në vitin 1944-1945 në ish Jugosllavi ishte akt i kodifikimit sekondar bazuar në gjuhën letrare bullgare, e ‘pasuruar’ më tej me forma lokale”, thuhet në notën e protestës.

Shkupi zyrtar i është përgjigjur duke nënvizuar se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945 dhe se ka dëshmi që ka vazhdimësi nga trojet e saj. Ndërkohë, pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, Maqedonia e Veriut nisi dhe procesin e ashtuquajtur “screening” për shqyrtimin e përputhshmmërisë së legjislacionit të shtetit me atë të BE-së.