Qeveria ka mbartur në buxhetin e vitit 2022 rreth 108 milionë euro detyrime të prapambetura në formën e punës dhe shërbimeve të papaguara gjatë vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave faturave e detyrimeve të prapambetura në muajin janar 2022 ishte 13,3 miliardë lekë (108 milionë euro) e njëjtë me nivelin e dhjetorit 2021.

Në dhjetor të vitit të kaluar qeveria e uli stokun e detyrimeve me rreth 16 për qind, pasi në mbyllje të buxhetit shleu rreth 16 milionë euro fatura në projektet e investimeve publike.

Nga stoku total i detyrimeve rreth 4,7 miliardë lekë (38 milionë euro) i përkasin detyrimeve në infrastrukturë. Detyrimet e prapambetura në këtë zë ishin 6,6 miliardë lekë në muajin nëntor 2021, teksa në muajin dhjetor është shlyer 28% e kësaj shumë.

“Detyrime e tjera” ishin zëri më i madh i borxhit të prapambetur me rreth 8.6 miliardë (70 milionë euro) dhe kryesisht zotërohet nga pushteti lokal. Vlera e këtyre detyrimeve ishte e njëjtë me atë të muajit dhjetor, por ishte 7 për qind më e ulët se në muajin nëntor.

Niveli real i detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ndaj të tretëve është i diskutueshëm, pasi bilanci i përmuajshëm i Ministrisë së Financave nuk përfshin disa lloj detyrimesh të tjera si për shembull borxhet e faturave të energjisë që institucionet dhe entet publike kanë ndaj OSHE dhe detyrimet që rrjedhin nga gjykatat ndërkombëtarë të arbitrazhit.

Shqipëria nisi të ketë probleme me fshehjen e detyrimeve të prapambetura që pas krizës financiare të vitit 2008. Shqetësimet u rriten kur me rrotacionin qeverisës në vitin 2013 qeveria “Rama 1” nëpërmjet një auditi ndërkombëtar zbuloi rreth 71 miliardë fatura të papaguara.

Megjithë forcimin e legjislacionit dhe asistencës teknike miliona euro që institucionet ndërkombëtare dhanë për të forcuar administrimin buxhetor, sërish entet publike nuk po arrijnë të shmangin detyrimet e prapambetura.

Ekspertë të thesarit në Ministrinë e Financave kanë shpjeguar më parë se, pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve krijohen nga investimet në projekte që nuk janë parashikuar më parë në buxhet.

Entet publike kryejnë prokurime jashtë limiteve buxhetore, duke nënshkruar kontratat për të cilat qeveria dhe Ministria e Financave nuk ju ka miratuar fondet. Në vend që zyrtaret e enteve të penalizohen për krijimin e dëmeve në kurriz të arkës së shtetit, qeveria merr përsipër të paguaje barrën e rëndë të faturave.
MONITOR