Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur sërish për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal. I ftuar si ish-ministër i Jashtëm në “Zona Zero” për të folur për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Basha ka përmendur edhe akuzat e ngritura ndaj tij.

“Lufta ndaj meje nga maxhoranca, në prag zgjedhjesh, nuk kufizohet vetëm në atë që identifikohet sot si McGonigal. Shpifjet drejt meje ka qenë në kuadër të baltosjes çdo herë para zgjedhjeve. Të dy individët që më kanë ngatërruar kanë çmontuar dhe kanë hedhur poshtë shpifjet banale,”-tha Basha ndër të tjera në fjalën e tij.

Reagimi i Bashës ka lidhje me dosjen e Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.

Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal