I përfolur se dikur vinte në Tiranë si një biznesmen i madh në fushën e energjetikës, tashmë serbo-boshnjaku, Damir Fazliç ndodhet sërish në rrugët e kryeqytetit shqiptar.

“Boldnews.al” ka fotografuar biznesmenin Fazliç në bulevardin kryesor të Tiranës, rastësisht pranë Ministrisë së Infrastrukturës së Belinda Ballukut, një institucion që disa vite më parë i mbante dyert e hapura për planet e tij të investimit.

Damir Fazliç ka qenë shumë pranë qeverisjes së Partisë Demokratike, deri në vitin 2013. Ai kishte plane investimi në fushën energjetike në zonën e Porto Romanos.

Në vitin 2008, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për pastrim parash.

Raportimet mediatike të kohës flasin për një plan hetimor të prokurorëve, ku përfshihej ndër të tjera edhe pyetja e Damir Fazliç.

Ai proces u mbyll me pafajësi për Fazliç.

Po ashtu, në vitin 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kallëzoi sërish Fazliç për shmangie nga taksat në vlerën 2 milionë euro.

Edhe në këtë rast, autoritetet hetimore nuk kolauduan në përgjegjësi penale të biznesmenit.

Megjithatë, këto goditje duket se e detyruan serbo-boshnjakun që të qëndrojë larg Shqipërisë, të paktën për disa kohë.

Në një intervistë të publikuar në median shqiptare në vitin 2018, Fazliç ka deklaruar se ka qëndruar larg Shqipërisë, për shkak të impenjimeve të tij, por se e do shumë vendin tonë dhe do të rikthehet.

Në atë intervistë, Fazliç kishte shumë kritika për Lulzim Bashën, të cilin e konsideronte si shkaktar të disfatave politike të opozitës.

Tashmë, Damir Fazliç rikthehet sërish në Shqipëri, dhe pikërisht pranë Ministrisë së Energjetikës duke shijuar rrezet e diellit dimëror në Tiranë. Ndoshta duhet të presim në ditët që vijnë që emir i Damir Fazliç të lidhet me ndonjë projekt tjetër energjetik në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku.