Kjo mbrëmje do të rezervojë të tjera emocione në Champions League, ku do të përcaktohen dhe dy skuadrat e tjera që do të kualifikohen në gjysmëfinale.

Interes të veçantë ka tek superndeshja Atletico Madrid-Manchester City. Qytetarët fituan takimin e parë me gol të Kevin De Bruyne, megjithatë është shumë pak për të thënë se e kanë siguruar kalimin më tej. Spanjollët bëjnë llogaritë pa Herrera dhe Gimenez, ndërsa City e ka dhe më të vështirë, pasi Gabriel Jesus është i pezulluar, ndërsa Palmer, i dëmtuar.

Dueli do të luhet sot, në orën 21:00. 

Bileta e fundit për një vend në gjysmëfinale është ajo mes Liverpool dhe Benfica. Anglezët, edhe pse kanë hedhur një hap të sigurt drejt kalimit më tej pas asaj fitoreje 3-1 në ndeshjen e parë, nuk do ta nënvlerësojnë aspak kundërshtarin. Kështu është shprehur dhe trajneri Jurgen Klopp, në konferencën zyrtare në prag të sfidës.

Lajmi i mirë për The Reds është se nuk kanë asnjë mungesë dhe për këtë arsye, Klopp pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, ndërsa tek Benfica vuajnë mungesën e Rafa Silvës. Në rast kualifikimi më tej, Liverpool apo Benfika do të përballet me Villarreal, ndërsa fituesi i Atletico-City, në gjysmëfinale gjen Real Madrid.