Çmimet e karburanteve në bursa po arrijnë majën teksa prodhuesit e naftës nuk i përgjigjen kërkesës së lartë tani që bota po rimëkëmbet nga pandemia.

Nafta e standardit ndërkombëtar, Brent, kaloi të hënën vlerën 86 dollarë fuçia njësoj si dy vite më parë, ndërsa nafta amerikane u vlerësua me mbi 84 dollarë, vlera më e lartë në shtatë vite.

Çmimet po i ndikon edhe mungesa e lëndëve bazë për energji, si qymyrguri dhe gazi natyror, pasi në Kinë, Indi dhe Europë bizneset po përdorin naftën për të garantuar furnizimin me gjeneratorë.

Kostoja e gazit natyror në Europë tani vlerësohet gjashtëfish më e lartë sesa një vit më parë dhe nuk pritet të ulet ndjeshëm përpara pranverës 2022.

Ekspertët parashikojnë që çmimet e larta të hidrokarbureve do të vazhdojnë me vite.

Amerika është një nga konsumatorët më të mëdhenj të karburanteve dhe pas një viti të dobët, konsumi atje i benzinës dhe i derivateve të naftës është kthyer te mesataret disavjeçare.

Ndërkohë, numri i platformave që nxjerrin gaz dhe naftë nga toka është ulur me 30 për qind nga viti i shkuar.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë deklaroi këtë muaj se sektori i hidrokarbureve nuk po investon sa duhet për të plotësuar kërkesën e lartë.