Sergio Aguero ka treguar se nuk mund të luajë më futboll as si amator, për shkak të frymëmarrjes.

Në fund të tetorit, Agueros mbeti pa oksigjen në ndeshjen mes Barcelonës dhe Alaves, pas së cilës iu desh të largohej nga fusha. Mjekët i zbuluan probleme në zemër dhe kjo nënkuptonte fundin e një karriere të shkëlqyer për një sulmues të madh.

El Kun Aguero i është rikthyer edhe njëherë problemit të tij me zemrën që e detyroi atë të tërhiqej nga futbolli. Ai iu përgjigj disa pyetjeve të bëra nga fansat e tij në profilin e tij zyrtar në “Twitter”.

Një prej tyre e pyeti për problemin e tij shëndetësor dhe ajo që bie në sy është se El Kun nuk është ende i qartë. “E vërteta është se nuk e di se çfarë e shkaktoi problemin me zemrën” e nisi Aguero përgjigjen e tij.

“Askush nuk e di se çfarë ndodhi. Mund të ishte Covid apo vaksina, nuk e di. Fatkeqësisht ka ndodhur dhe tani duhet të kujdesem për veten. Ndoshta kam pasur diçka përpara, dhe u shfaq më vonë, nuk e di”.