Partizani luan një tjetër transfertë, pas asaj që zhvilloi kundër Teutës dhe e humbi. “Demat e kuq” nesër do të jenë mysafirë në Korçë dhe trajneri Ilir Daja ishte I qartë në konferencën e sotme, duke thënë se vetëm tre pikët u bëjnë punë. Ai u rikthye të analizonte duelin me Teutën, ndërkohë që foli edhe për Skënderbeun, që Partizani duhet ta mposhtë nesër.

SITUATA NË SKUADËR – “Rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka. Kemi vazhduar punën p me intensitet të larta dhe me dëshirën që defektet e ndeshjes së parë të minimizohen. Nuk mundet që brenda 1 jave të ndryshosh gjithçka. Mendoj që kemi një ndeshje delikate nesër. Pavarësisht se edhe Skënderbeu ka të njëjtin rezultat në ndeshjen e parë, gjatë pjesës së parë ka bërë goxha mirë kundër Tiranës. Shkojmë nesër në Korçë, duke respektuar maksimalisht kundërshtarin. Detyra jonë e vetme është marrja e 3 pikëshit, pavarësisht se e dimë se duhet të punojmë fortë për të arritur këtë gjë”.

FORMACIONI – “Partizani është një ekip që brenda tij ka lojtarë cilësorë. Dy nga të cilët janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të themi kush do ta nisi titullar ndeshjen nesër, pasi kemi dhe një seancë stërvitore. Do të vendosim të gjithë si staf se kush do të startojë nesër. Ka shumë lojtarë të rëndësishëm, por mbi të gjitha është Partizani. Do mundohemi që nesër të startojnë ata që janë në gjendjen më të mirë. Ndoshta ndonjëri mundet të sakrifikohet për shkak të pozicionit, jo për shkak të vlerave”.

FITORE ME ÇDO KUSHT – “Është ndeshje deliakte, duhet patjetër të shkojmë drejt 3 pikëshit. I kemi kualitetet e duhura për të bërë këtë gjë. Ajo që më pëlqeu në ndeshjen e parë ishte motivimi që kishin lojtarët dhe të dëshira për të fituar, përtej gjërave të tjera që duhen përmirësuar. Mendoj që kualiteti nuk na mungon.

Në javën e dytë mund të behet diçka më shumë. Skënderbeu është një ekip simpatik, që vjet në pjesën e dytë të kampionatit ka bërë mirë. Pjesa më e madhe janë lojtarë të rinj. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës i kujdesshëm. Duhet të jemi të motivuar maksimalisht, nëse duam të arrijmë marrjen e 3 pikëve.

FINALIZIMI I AKSIONEVE – “Kishim probleme me finalizimin, por problemi që na shqetësoi më shumë ishte fakti që nuk kishim shpejtësinë e duhur të veprimeve sulmues. Duhet të kishim shumë më tepër raste para portës, që këto situata të finalizoheshin në një përqindje më të mirë. Po t’i referohemi ndeshjes, edhe ne, edhe kundërshtari nuk kishim shumë situata para portave respektive”.

KAMPIONATI – “Kampionati shqiptar nuk ka diferenca të mëdhaja. Ashtu siç ne kemi ndeshje të vështira, edhe kundërshtarët kanë ndeshje të vështira. Gjithsesi ne nuk do të shpërndahemi, do të fokusohemi të ndeshja e nesërme. Raporti i vështirësisë është në të dy kahet. Nesër duhet që të gjitha energjitë t’i fokusojmë te ndeshja e Skënderbeut. Skënderbeu është ekip që di të luajë mirë futboll. Do ta ketë të vështirë çdo ekip që do të luajë me Skënderbeun. Prandaj duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme, për të parë pastaj sa të vështira do të jenë ndeshjet më mbrapa”.

AFRIMET NË FUND – “Unë do të thoja që ndikon, por kjo nuk do të jetë pjesë e justifikimit tonë. Duhet të jemi pragmatist, duke ditur këtë lloj problematike. Kemi ndërtuar një strategji që të na ndikojë sa më pak të jetë e mundur. Nesër duhet të jemi të gjithë grup për të minimizuar këto probleme”.

STADIUMI I RI – “Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjet me ekipin në fushën e kompleksit të ri. Për këtë kemi marrë dhe fjalën e presidentit. Ndërsa për ta bërë komplet stadiumit të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj se në muajin nëntor. Unë jam trajneri i ekipit, nuk jam presidenti, por sipas fjalës së tij besoj që muaji nëntor duhet të na gjejë në stadiumin e ri.

Gjithmonë në qoftë se nuk na hapet ndonjë vështirësi tjetër, sepse këtu në Shqipëri, në vend që të suportohen investime të tilla gjigante, në çdo hap që investohet del nga një problematikë. Shpresoj që fundi i nëntorit të na gjejë në stadiumin tone”. / abcnews.al