Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka liruar nga qelia ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, pasi ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjyqtarja Flojera Davidhi ndryshoi masën e sigurisë, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” me argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit për Dakon.

“Kemi të bëjmë me një vendim të Gjykatës së Posaçme. Fillimisht, po hetohej me masën e “arrestit në burg”, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjyqtarja Flojera Davidhi ka vendosur ditën e sotme, ndryshimin e masës së sigurisë. Kjo lidhet me rreth dy javë më parë, kur GJKKO i kërkoi SPAK të bënte veprime hetimore shtesë. Dako nuk mund të mbahej tej afateve të paraburgimit”.

Dako akuzohet për “Shpërdorim detyre” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Në përfundim të hetimeve të SPAK rezultoi se Dako kishte kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k, pasi Dako dhe zyrtarët e kësaj bashkie i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë./abcnews.al