Afrim Krasniqi, politolog i njohur në vend, nxjerr marrëveshjen e vitit 2002 kur mazhoranca dhe opozita vendosën të dialogonin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Nano dhe Berisha u takuan fillimisht për kriteret dhe më pas për kandidatin për President konsensual. Me shumicë votash, Kuvendi zgjodhi në atë kohë kandidaturën e Alfred Moisiut për kreun e shtetit shqiptar.

Shkruan Afrim Krasniqi:

Retrospektivë 2002. Falë skemës së Dushkut dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet e vitit 2001 i dhanë mazhorancës mbi 84 mandate, numri i nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit. BE dhe SHBA këshilluan mazhorancën të kërkojë zgjidhje konsensuale për Presidentin.

Dy palët armiqësore nuk ishin takuar as formalisht prej marsit 1997, megjithatë më 2002 u takuan dhe bënë dy marrëveshje, fillimisht për kriteret dhe më pas për kandidatin për President konsensual. Shumë emra në qarkullim, por një zgjedhje, e cila rezultoi e suksesshme. 40 deputetë nga 5 grupe jetësuan aktin.

Pas dy dekadash testi i radhës: por (ende) nuk ka bisedime dhe vullnet të qartë. Mësimi: Demokracia nuk është vetëm procedurë: zgjedhja e Presidentit kërkon solemnitet, seriozitet, përgjegjshmëri, qasje institucionale & mbipartiake. Kështu nisi, kështu vijoi!