TIRANË- Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili do mbahet në Shqipëri më 16 tetor, në Tiranë janë mbledhur sot 24 delegacione nga vendet e BE dhe të Ballkanit Perëndimor. Vendet pjesëmarrëse përfaqësohen në nivel të ministrave të Jashtëm.

Gazetarja e Abc News, Esiona Konomi teksa po ndjek nga afër këtë zhvillim të rëndësishëm raporton se ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla dhe ai i Serbisë Ivica Daçiç kanë qëndruar larg njëri tjetrit, për të shmangur kështu ndonjë konflikt të mundshëm verbal, sidomos pas ngjarjeve të fundit në veri.

Një tjetër detaj, i cili u vu re ishte veprimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, i cili nuk mori pjesë në fotografinë zyrtare. Përfaqësuesit e 24 delegacioneve u rreshtuan të gjithë për t’i qëndruar strikt protokollit, por ministri i Jashtëm serb Daçiç nuk pranoi t’u bashkohej.

“Nga ana protokollare kanë qëndruar larg njëri tjetrit, pra nuk jemi pozicionuar në vendet afër, që mund të lexohej ndonjë tension verbal mes tyre, pra është shmangur edhe prani aksidentale e tyre. Edhe tek fotografia zyrtare nuk doli fare z. Daçiç nuk doli fare. Liderët dolën jashtë dhe pritën në këmbë për një kohë prej më shumë se 5 minuta. Ai nuk doli të bënte fotografi me përfaqësues të tjerë”, raportoi gazetarja.