Anëtarja e parlamentit ukrainas, Lesia Vasylenko, paralajmëroi sot se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë, duke thënë se është vetëm “çështje kohe para se ajo ta sulmojë Poloninë”. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara thanë se NATO do të përgjigjet me forcë nëse Rusia godet territorin e një vendi të aleancës perëndimore.

Shtetet e Bashkuara lëshuan një paralajmërim të fortë kundër Rusisë pas sulmit të saj në bazën ushtarake afër kufirit me Poloninë. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se Rusia do të përballet me një përgjigje të fortë nga NATO nëse sulmet e saj në Ukrainë kalojnë kufijtë e saj dhe godasin territoret e vendeve të aleancës perëndimore.

“Presidenti Biden ka qenë vazhdimisht i qartë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët e tyre për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.”

Ai tha se NATO do të përgjigjet edhe nëse Rusia godet në mënyrë aksidentale territorin e një vendi të NATO-s.Sulmi ndaj bazës ushtarake pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë pason një kërcënim të Rusisë për goditjen e dërgesave të armëve nga Perëndimi në mbështetje të luftëtarëve ukrainas.

/“Zëri i Amerikës”/