Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën pasditen e djeshme ku 57 vjeçari, Ismet Çekorja u ekzekutua përballë shtëpisë së tij në lagjen “Guerrile” të qytetit.

Viktima u ekzekutua me shtatë plumba të cilët rezultuan fatal për të, duke bërë që të ndërronte jetë sapo mbërriti në spitalin e Shkodrës.

Detaje të reja të siguruara nga vrasja e 57 vjeçarit bëjnë me dije se dikush e kishte thirrur Ismet Çekoren për të dalë jashtë shtëpisë së tij. Pak sekonda pasi doli, u përball me një breshëri plumbash, duke u qëlluar nga shtatë prej tyre. Ende nuk dihet nëse personi që e ka thirrur të ndjerin ishte ekzekutori apo dikush tjetër, por dyshohet se kjo është bërë për ta nxjerrë në pritë 57 vjeçarin.

Ekzekutimi i tij, erdhi disa ditë, pasi Ismet Çekorja në një dalje për mediat, duke shfajësuar djalin e tij, Bajram Çakoren për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçit, foli edhe për atentate të tjera të ndodhura në Shkodër për të cilat kishin akuzuar sërish djalin e tij.

Në deklaratën e tij, i ndjeri përmendi rasjen e Arjan Ferracakut, Fatos Ferracakut, plagosjen e Admir Bajrit, vrasjen e Naim Bajrit, atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe apo edhe rastin e fundit, atentatin ndaj Alban Bruçit, ngjarje këto për të cilat Çekorja u shpreh se djali i tij nuk ka asnjë lidhje dhe se me këta persona dhe fise kishte marrëdhënie shoqërore.

Vetëm një javë pas kësaj deklarate, Çekorja u ekzekutua përpara shtëpisë së tij në Shkodër.