Nga Derviçani i Dropullit, ku zhvilloi një takim me fermerët, kryeministri Rama u ndal tek kriza energjetike dhe inflacioni.

Kryeministri theksoi se çmimi i energjisë nuk u rrit në tetor, por qeveri është “me dorë në zemër se çfarë do të ndodhë në nëntor”, pasi sipas tij shifrat nuk janë të mira.

Për shkak të luftës në Ukrainë, Rama tha se ky do të jetë dimri më i vështirë që pas Luftës së Dytë Botërore, pasi kështu ka urdhëruar Vladimir Putin

Edi Rama: Vendosëm të mos rrisim çmimin e energjisë dhe sot po e mbajmë ende. Po nuk ra shi nuk mbushen ato hidrocentrale dhe nëse kjo nuk ndodh, është hall i madh. Tani po rrimë me dorën në zemër se çfarë do bëhet në nëntor, se faktikisht nuk janë mirë shifrat. Problemi është që mund ta lesh, por vjen një ditë kur s’ke fare ose ke pak dhe fillon shkurtimet, por ne i përjashtojmë shkurtimet si mundësi.

Dhe për të ardhur tek inflacioni dhe mbështetja, bëmë një paketë por nuk mjafton, ishte tre muaj, iku u harrua, vera solli të ardhura të rëndësishme nga turizmi në zinxhirin ekonomik, por sot në çdo tryezë në takimet jashtë biseda kryesore është se po vjen dimri më i vështirë pas luftës së dytë botërore, sepse ky është basti që ka vënë ai Cari i Kremlinit, luftën e bën me Ukrainën por basti është të gjunjëzojnë Perëndimin, duke e detyruar të futet në një spirale pamundësie që nis me energjinë, por reflektohet tek çmimet.

.