Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla menjëherë pas përfundimit të mbledhjes të mbajtur në kryesinë e Kuvendit mes krerëve të grupeve parlamentare, ka dhënë një intervistë për mediat ku u është përgjigjur pyetjeve për tema të ndryshme.

Sa i përket bashkëpunimit me PD-në, Balla tha se në hapje të secilit sesion deputetët përcaktoheshin se cilit grup parlamentar i përkisnin dhe se lidhur me atë fakt do të bashkëpunohej me demorkatët duke filluar që në ngritjen e një komisioni të Posaçëm Pune për Reformën Zgjedhore.

“Ne kemi zhvilluar konferencën e parë të kryetarëve për këtë session ku është miratuar kalendari i punës. Ne kemi bashkëpunuar me opozitën sa i përket disa çështjeve kemi thënë që e para gjë është ngritja e një komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.Ne seancën e janarit shpresojmë të votohet. Në fillim të çdo sesioni deputetët caktojnë përkatësinë e tyre në grupe parlamentare. Kjo është një çështje që i përket PD-së. Të mos harrojmë që përmbyllja e procesit të Vettingut është dicka që nuk ka të bëjë me asnjërën prej agjendave politike në vend por me agjendën europiane të Shqipërisë”-u shpreh deputeti socialist.

Sa i përket situatës që ishte krijuar në PD, Balla tha se ndihej i keqardhur duke shtuar se kjo që kishte ndodhur nuk mund të ndërlidhej me punën e grupit parlamentar.

“Keqardhje për gjithçka që ndodhi në selinë e PD por kjo nuk mund të ndërlidhet me punën që kryen grupi parlamentar”– tha ndër të tjera Balla duke theksuar se kjo ishte punë e brendshme e PD.

Ndërsa lidhur me vendimin që gjykata Kushtetuese pritet të marrë për presidentin Meta, Balla tha se kjo nuk ishte diçka që mund të parashikohej por siguroi se vendi nuk do ishte vakant pasi në rastin e një shkarkimi, detyra do të ushtrohej nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla.

“Unë nuk jam orakull të parashikoj këtë gjë. Detyra ime është që të mos harrojmë se në 18 janar do të zhvillohet seancë e parë e gjykatës kushtetuese ku Kuvendi ka propozuar vendimin për shkarkimin e presidentit.

Në momentin e shkarkimit të presidentit të Republikës menjëherë zëvendësohet nga kryetari i Kuvendit dhe më pas afatet e tjera do të përcaktohen nga kushtetuta”, tha Balla.

I pyetur për ndryshimet që mund të miratohen në kongresin e PS, Balla thumboi edhe PD-në duke thënë se të gjitha vendimet që merreshin do të ishin shembull për jetën politike dhe se nuk do ngjanin me “pseudo-kuvendet”.

“Një gjë është e sigurtë që kongreset e PS janë gjithmonë një risi. Një gjë është e sigurtë që në kongres do ë marrë udhë një projekt që kryeministri Rama e ka prezantuar ku synohet komunikimi me të gjithë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Në asnjë rast kongreset e PS nuk do ngjajë me pseudo-kuvendet”– përfundoi ai.