Konferenca e Kryetarëve është mbledhur paraditen e kësaj të mërkure për të diskutuar për zgjedhjen e emrave për Presidentin e ri të Republikës. Nga opozita marrin pjesë Enkelejd Alibeaj, Mesila Doda, Arbi Agalliu, Fatmir Mediu, Oriola Pampuri dhe Agron Duka.

Alibeaj ka insistuar që emrat të propozohen nga opozita, një kriter që ai e ka kërkuar prej ditës së parë. Dy aleatët opozitarë Mesila Doda dhe Fatmir Mediu, kanë kërkuar gjithashtu që vetë opozitarët të dalin me kandidaturat e tyre në këtë proces, ose të mos marrin pjesë fare.

Nuk mund të pranojmë që ne të bëhemi pjesë e një procesi ku nuk ka rezultat konkret dhe i jep frymë një farse që do i jepte mazhorancës mundësinë të zgjidhte vetë një emër në raundin e katërt dhe të pesë”, tha Mediu, duke kushtëzuar në një farë mënyre Alibeajn, shkruan newsbomb.al.

Pjesë nga fjala e tre përfaqësuesve të opozitës që folën të parët:

Enkelejd Alibeaj: Të paktën në tre raundet e para. E drejta për të propozuar t’i përkasë opozitës. Asaj pjesë te Kuvendit, e cila plotëson numrin e mandateve që shkon përtej 84 mandateve. Këtë kemi bërë ne. Propozojmë nga opozita katër kandidatura, kjo është formula. Nga të cilat dy të mund t’i përzgjedhë brenda kësaj katërshe nga ana juaj dhe pjesa tjetër është e thjeshtë, në arritjen e emrit final. Jo proces përjashtues, por gjithëpërfshirës, me kronologji të caktuar.

Mos e kushtëzoni se nuk është i tillë, as kush dhe as provokim ndaj askujt. Është një shërbim që i bëhet në frymën e Kushtetutës këtij procesi për t’i dhënë baza të shëndosha institucionit të Presidentit. Që ai që do vijë ta di se nga kjo godinë ai ka mbështetje dhe nuk është zgjedhur si pjesë e një loje meskine, por nga virtytet e tij.

Mesila Doda: Ky i sotmi është një diskutim që duhet ta kishim bërë ditë më parë. Ky  Parlament ka një histori, një memorie të vetën kur ca njerëz mblidheshin me orë të tëra për të çuar në filtrat e duhur kandidaturat përkatëse. Sot të flasim dhe të debatojmë mbi një dokument që na ka sjell kolegu ynë, të paktën ne të opozitës duhet të ishim njohur më parë.

Ajo që unë propozojë është a ka mundësi të kemi një proces real. Kemi momentin që të japim një rezultat të mirë për shqiptarët. Ndaj sa më shpejt le të futemi në një proces real, kemi një memorie në këtë Parlament sesi vijnë kandidaturat. Le të vijnë, t’i shohim të gjithë, ku jemi me ta dhe të shkojmë përpara me një produkt normal.

Fatmir Mediu: Ne si opozitë duhet të dalim me 2-3 kandidatura, ose të mos bëhemi pjesë e këtij procesi. Nuk kemi kohë më dhe para se të ulemi me ju duhet të ulemi mes vetes. E drejta është e çdo deputeti të opozitës për të propozuar, jo vetëm nga ajo 84 që plotëson mandatet.

Nuk mund të pranojmë që ne të bëhemi pjesë e një procesi ku nuk ka rezultat konkret dhe i jep frymë një farse që do i jepte mazhorancës mundësinë të zgjidhte vetë një emër në raundin e katërt dhe të pestë.