Finalizohet operacioni policor i koduar “Taksisti”.

Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Policia e Lezhës godet një tjetër rast të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit policor të koduar “Taksisti” janë sekuerstruar 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, ndërsa është arrestuar drejtuesi i mjetit taksi që po transportonte lëndën narkotike.

Taksisti ka tentuar ti shmanget patrullës së policisë duke goditur një nga mjetet e shërbimit.

Policia Lezhë: “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disaditor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: L.H., 52 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.

Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacionëve të disponuara se me një mjet taksi po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe në Milot, kanë identifikuar mjetin dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka goditur një nga mjetet e shërbimeve të Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip “Benz” që shërbente si taksi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10.2 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa.

Oranews