Beyoncé, Taylor Swift dhe Dua Lipa kryesojnë nominimet për çmimet Grammy 2021.

Beyoncé dominon me nëntë nominime, katër prej të cilave për “Black Parade”, një himn proteste i publikuar në kulmin e protestave të “Black Lives Matter” këtë verë. Beyoncé, e cila gjatë gjithë karrierës numëron 79 nominime dhe 24 çmime të marra, është artistja femër më e nominuar në historinë e Grammy.

Më pas është Taylor me gjashtë nominime, e cila mund të rrëmbejë çmimin për “Albumi i vitit” pas super suksesit që albumi i saj “Folklore” pati gjatë izolimit.

Edhe Dua Lipa gjithashtu është nominuar gjashtë herë për kategoritë “Albumi më i mirë i vitit”dhe “Albumi më i mirë Pop Vokal” për albumin Future nostalgia,  “Regjistrimi i vitit”, “Kënga e vitit”, “Performanca më e mirë solo Pop” për Dont’start now, “Bashkëpunimi më i mirë pop” për Un Dia (One Day)” në bashkëpunim me J Balvin, Bad Bunny, and Tain.
Kujtojmë se në 2019 Dua ka shkruar historinë pasi është bërë shqiptarja e parë që rrëmben dy çmime “Grammy”.

Artistja jonë fillimisht fitoi në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, për këngën e saj të suksesshme “Electricity”, në bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo. Po ashtu, triumfoi edhe në një ndër kategoritë më të mira të ceremonisë, atë të kategorisë “Artistja e re më e mirë”.

Zhgënjyes duket “Grammy 2021” për yllin e R&B The Weeknd, i cili nuk arriti të merrte asnjë nominim, pavarësisht se kishte albumin më të shitur të vitit 2020 në SH.B.A.

Ndërkohë, Billie Eilish mori nominime të shumta për single-in e saj “Everything I Wanted”, si dhe “No Time To Die”.

18-vjeçarja gjithashtu bëri histori në fillim të këtij viti duke u bërë artistja e parë femër që fitoi të katër kategoritë kryesore të Grammy – ‘Artistja më e mirë e re’, ‘Kënga e vitit’, ‘Regjistrimi i vitit’ dhe ‘Albumi më i mirë’.

Grammy do të transmetohet më 31 janar 2021, nga ora 20:00-23:30 nën moderimin e Trevor Noah. Të nominuarit u njoftuan sot, më 24 nëntor, në një ceremoni virtuale ku morën pjesë Dua Lipa, Imogen Heap, Lauren Daigle, Mickey Guyton, Yemi Alade, Nicole Benedetti, Pepe Aguilar, Sharon Osbourne etj.