Sali Berisha ka sulmuar keq Lulzim Bashën, gjatë foltores që po mban sot me të rinjtë në Tiranë. Berisha tha se Basha duhet të përballet me të gjithë anëtarët e PD dhe të mos fshihet e trembet prej tyre. Ai e ka ftuar Bashën madje në debat, dhe shtoi se sillet njësoj sikur të ishte shkolluar në Korenë e Veriut dhe jo në Hollandë.

“Ne në këtë betejë kemi probleme të forta të brendshme, pengkryetari ka humbur çfarëdolloj morali, dhe së fundi është vërsulur ndaj organizatës suaj, dhe organizatës së grave, në një hakmarrje të turpshme dhe primitive, po të ishte burrë, vendi i tij duhet të ishtë këtu  përpara jush, me Belindin, me mua, por i kyçur në zyrën e tij jep urdhëra me telefon dhe deklaron uzurpimin e forumit rinor, lidhjes së grave.

Askush nga ju nuk është kundër zgjedhjeve, por ato janë kompetencë e juaja dhe vetëm e juaja, do të jeni ju që do të përcaktoni procesin zgjedhor. Kryetari pa parti nuk përcakton dot asgjë, e ka kapur një frikë dhe tmerr nga ju, nga zonjat e PD. Është krejtësisht i pashpresë. I thoni që të mos fshihet, dhe të dalë në debat me ju, po sillet sikur është shkolluar në Korenë e Veriut dhe jo në Hollandë”, tha Berisha.

“Të dashur të rinj, të reja, anëtarë dhe drejtues të Forumit Rinor, dua me mirënjohjen më të thellë t’ju falenderoj ju, për punën e jashtëzakonshme që ju keni bërë, për mundin dhe djersën, guximin që keni treguar për ta bërë PD-në në këto vite, një opozitë të vërtetë.

Ju anëtaret dhe anëtarët, drejtuesit e forumit rinor nuk kursyet asgjë në këto vite, u përballët me dhunën dhe terrorin e narko shtetit dhe narkopolicisë, me shëmtinë e qelive të burgjeve dhe komisariateve, për të mbrojtur idealet e PD.

Unë besoj shumë se kjo foltore do të jetë një shtysë e madhe për mbarë shoqërinë shqiptare, në radhë të parë për PD, e cila ndodhet në një moment kritik. Unë kam bindje, jam i sigurtë që së bashku do të krijojmë me shpejtësi opozitën e vërtetë shqiptare.

Ne do të përmbysim narkoshtetin e bazuar te krimi dhe korrupsioni, ne do të shembim muret dhe do të përmbysim këtë regjim, i cili më armik se me këdo tjetër është me të rinjtë shqiptarë”, u shpreh Berisha mes të tjerave më herët./Faxweb.al