Durrës/ Përfitonin të ardhura duke mashtruar qytetarët nëpërmjet Call Centerave, në pranga 2 shtetas
Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Call me”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen dhjetëra pajisje kompjuterike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, bazuar dhe në informaconet e siguruara në rrugë operative, nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Finanaciar në DVP Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Call me”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
F. L., 26 vjeç dhe D. B., 42 vjeç, të dy banues në Durrës.
Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.