Simpatizantët e Partisë Demokratike kanë nisur shpërndarjen e fletushkave për protestën kombëtare të datës 12 nëntor, të thirrur në Tiranë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Siç shihet dhe nga fotot e mëposhtme, fletushkat kanë nisur të shpërndahen në rrugët e qyteteve, të ngjiten në mure e fasada xhami, si dhe në makina. Në mbështetje të këtij tubimi do të jetë dhe Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta.

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD, ka ftuar mbrëmjen e sotme deputetët e grupi Alibeaj që të marrin pjesë në protestën e 12 Nëntorit të thirrur nga Sali Berisha. Sipas tij, në shesh ka vend për të gjithë dhe ata duhet të jenë mes demokratëve.

“Ajo që lexohet në rreshtat e Ambasadës, është se e dinë se protesta do jetë më paqësore se kurrë ndonjëherë. e patë sa thjesht. Kështu protestojnë demokratët. Të gjithë demokratët. Presim dhe grupin Alibeaj. Unë besoj se do të jenë sepse nuk ka si të jetë ndryshe”, tha Noka